INSTAT: 10 mijë nxënës më pak në arsimin parauniversitar në 2024-2025
Arsimi parauniversitar në Shqipëri po përballet me rënie të fortë të numrit të nxënësve, me mbi 10 mijë largime gjatë vitit 2024-2025.
Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se numri total i nxënësve në arsimin parauniversitar zbriti në 339,807 gjatë vitit akademik 2024-2025, nga 349,827 që ishte një vit më parë. Në total, sistemi humbi 10,020 nxënës ose rreth 3 për qind brenda vetëm një viti.
Arsimi fillor pëson goditjen më të madhe
Rënia ka prekur të gjitha nivelet e arsimit, por më e forta është regjistruar në ciklin fillor. Numri i nxënësve në këtë kategori u tkurr me 4,710 fëmijë, duke zbritur në 136,379 nxënës. Edhe arsimi bazë i lartë pësoi rënie me 2,745 nxënës, ndërsa në arsimin e mesëm u regjistruan 2,565 nxënës më pak krahasuar me vitin e kaluar.
Duke marrë si mesatare 25 nxënës për klasë, tkurrja e këtij viti përkthehet në rreth 400 klasa të mbyllura në të gjithë vendin.
Emigracioni dhe rënia e lindjeve po zbrazin shkollat
Ekspertët e lidhin këtë trend kryesisht me emigracionin e familjeve të reja dhe me rënien e lindshmërisë në vend. Ndryshe nga vitet e mëparshme, emigracioni tashmë po zhvillohet gjithnjë e më shumë në formën e largimit të të gjithë familjes, duke ndikuar drejtpërdrejt te numri i nxënësve në shkolla.
Në të njëjtën kohë, numri i lindjeve ka rënë ndjeshëm. Vitin e kaluar në Shqipëri lindën rreth 21,400 foshnja, nga mbi 32 mijë që regjistroheshin në vitin 2015. Kostot e larta të jetesës, shtyrja e krijimit të familjeve dhe ndryshimet sociale po ndikojnë drejtpërdrejt në plakjen e popullsisë dhe tkurrjen e brezave të rinj.
Zonat rurale po përballen me boshatisje
Përveç emigracionit jashtë vendit, një tjetër fenomen që po prek sistemin arsimor është lëvizja e brendshme e popullsisë drejt Tiranës dhe Durrësit. Në shumë zona rurale dhe qytete të vogla, mungesa e nxënësve po çon në mbyllje shkollash dhe krijim klasash kolektive.
Ndërsa disa shkolla në kryeqytet vijojnë të përballen me mbingarkesë, situata në rrethe po bëhet gjithnjë e më problematike për shkak të boshatisjes së komuniteteve.
Efektet do të ndihen edhe në ekonomi
Ekspertët paralajmërojnë se tkurrja e numrit të nxënësve do të ketë pasoja afatgjata jo vetëm në arsim, por edhe në tregun e punës dhe ekonominë e vendit. Në planin afatshkurtër, mbyllja e klasave krijon tepricë të stafit mësimor dhe detyron qeverinë të rishikojë formulat e financimit të shkollave.
Në afat më të gjatë, rënia e numrit të nxënësve në arsimin e mesëm do të përkthehet në më pak studentë në universitete, duke rrezikuar ekzistencën e shumë programeve të studimit, sidomos në universitetet rajonale.